Shumë të nderuar besimtarë e besimtare!
Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَلْتَنْظُرْ نَفْسٌ مَا قَدَّمَتْ لِغَدٍ وَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ خَبِيرٌ بِمَا تَعْمَلُونَ
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!”
(Hashr, 59/18)
Koha është kapitali më me vlerë i njeriut dhe ky kapital vazhdimisht konsumohet, fluturon porsi era, rrjedh porsi uji. Kurse njeriu është i prirur të jetojë në rehati dhe të qëndrojë larg përgjegjësive. Pikërisht këtu, ai humb. Siç thotë Profeti (s.a.s): نعمتان مغبون فيهما كثيرٌ من الناس: الصحة، والفراغ “Ka dy dhunti të Allahut në të cilat shumë prej njerëzve janë në humbje: shëndeti dhe koha e lirë”. Pra o njerëz, shumica jonë është humbës në shfrytëzimin e kohës.
Profeti (s.a.s) në një fjalë të bekuar ka thënë: لَا تَزُولُ قَدَمُ ابْنِ آدَمَ يَوْمَ الْقِيَامَةِ مِنْ عِنْدِ رَبِّهِ حَتَّى يُسْأَلَ عَنْ خَمْسٍ: عَنْ عُمُرِهِ فِيمَ أَفْنَاهُ، وَعَنْ شَبَابِهِ فِيمَ أَبْلَاهُ، وَمَالِهِ مِنْ أَيْنَ اكْتَسَبَهُ وَفِيمَ أَنْفَقَهُ، وَمَاذَا عَمِلَ فِيمَا عَلِمَ. “Këmba e birit të Ademit s’ka për të lëvizur nga prania e Zotit të tij pa dhënë llogari për këto pesë gjëra: (1)Ku dhe si e ka kaluar jetën, (2) Ku dhe si e ka kaluar rininë, (3-4) Ku dhe si e ka fituar pasurinë dhe ku e ka harxhuar atë, si dhe (5) A ka jetuar sipas atyre që ka mësuar”.
Nga Ibn Abbasi (r.a), Ai (a.s) na këshillon kështu: اغْتَنِمْ خَمْسًا قَبْلَ خَمْسٍ: شَبَابَكَ قَبْلَ هَرَمِكَ، وَصِحَّتَكَ قَبْلَ سَقَمِكَ، وَغِنَاءَكَ قَبْلَ فَقْرِكَ، وَفَرَاغَكَ قَبْلَ شُغْلِكَ، وَحَيَاتَكَ قَبْلَ مَوْتِكَ. “Shfrytëzoji pesë gjëra dhe dija vlerën atyre, përpara se të vijnë pesë të tjera: Rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para se të zihet me një punë tjetër dhe jetën para vdekjes”.
Allahu e ka vlerësuar shumë kohën dhe e nxit njeriun që ta shfrytëzojë atë në maksimum. E ka orientuar robin e vet duke ia organizuar më së miri ditën, në mënyrë që koha të shfrytëzohet në maksimum. Nuk ka lënë hapësira për kohë të shkuar dëm. I ka dërguar atij 5 vakte namazi, të cilat, nëse falen, çdo vepër tjetër që kryhet ndërmjet tyre fiton vlerën e një adhurimi.
Mund të thuhet që koha e besimitarit është 3 llojësh: koha e adhurimit, koha e punës, koha e pushimit. Organizimi i mirë i kohës pa lënë hapësira për të shkuar dëm është thelbësor. Çfarë janë argëtime nevojitet të përfshihen në kohën e pushimit dhe jo të jetë pa kufi.
Jeta e njeriut është e shkurtër dhe ahireti ëshë shumë afër.
Aliu (r.a) thotë: “Dynjaja largohet vazhdimisht prej nesh dhe ahireti afrohet. Gjithkush përzgjedh njërën prej tyre, por ju përzgjidhni jetën e përtejme. Mos jini prej atyre që përzgjedhin dynjanë. Sot është kohë pune dhe s’ka llogaridhënie. Por nesër do të jetë ditën llogaridhënieje dhe s’ka më punë.”
Prandaj, nëse njeriu e kalon kohën me vepra të pavlera, me thashetheme dhe biseda të dëmshme, atëherë sipas farës që ka mbjellë, do të vjelë frytin në botën tjetër.
Imam Rabbaniu (Allah qoftë i kënaqur prej tij), e shpreh kështu vlerën e besimtarit: “Kush është mysliman i mirë kuptohet nëse merret me punë të dobishme dhe qëndron larg punëve të dëmshme. Njeriu nuk duhet të lejojë që jeta e tij të shkojë dëm. Prandaj ai duhet ta mbrojë kohën e vet, duke e shpëtuar atë prej punëve të pakuptimta dhe boshe.”
E shkuara është e shkuar dhe na iku nga duart. Kurse në lidhje me të ardhmen nuk kemi asnjë garanci. Prandaj jeta dhe koha reale është dita në të cilën jemi, ora, minuti, momenti në të cilin gjendemi.
Allahu na bëftë myslimanë të dobishëm, që ia dinë mirë vlerën kohës!/insi.al/